Rama uron Lumturi Blloshmin për 76-vjetorin e lindjes: Fëmijët me aftësi të veçanta, të kenë kurajën e saj për të fluturuar lart

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot në 76-vjetorin e lindjes Lumturi Blloshmi, ndërsa theksoi se “uroj megjithë zemër që të gjithë fëmijët me aftësi të veçanta, të kenë këmbënguljen forcën dhe kurajon e saj për të fluturuar lart”.

“Lumturi Blloshmi mbush sot 76 vjeç dhe emri i saj mbase nuk u thotë asgjë atyre që nuk e kanë njohur rrethin artistik të viteve kur Lumja ishte një vajzë e re, që shihej me respekt mes një bote që dominohej nga burra të shquar, artistë e profesorë me hije të rëndë, themeluesit e shkollës së arteve në Shqipëri dhe nga të tjerë, më të rinj, ish-studentë e studentë të tyre, që karakterizoheshin nga ambicia për t’u shquar me artin e tyre në atë botë aq të vogël, ku kishte një pasion e vullnet të habitshëm sidoqoftë ndër lëvruesit e bojërave e të baltës”.

“Lumja kishte lindur pa mundësinë e dëgjimit dhe e folura e saj ishte si e një njeriu zog, ku fjalët mezi shkëputeshin nga tingujt e fortë të dëshirës për komunikim, por asgjë s’i shpëtonte nga lëvizjet e gojës së të tjerëve, ndërkohë që komunikimin me dynjanë ia plotësonte peneli i saj i shkathët dhe një e qeshur kumbuese, që sa herë e shihja më bënte të mendoja se kushedi ç’duhet të ishte britma e saj kur nxehej”, – nënvizon Rama.

Kryeministri Rama shprehet se “kam kohë, shumë kohë pa e parë atë grua mbresëlënëse, me tipare të theksuara, që ngjante si e dalë nga ndonjë pikturë e Egon Schiele-s, por duke ia uruar sot ditën e lindjes, uroj megjithë zemër që të gjithë fëmijët me aftësi të veçanta, të kenë këmbënguljen forcën dhe kurajon e saj për të fluturuar lart. Si vajza me të folurën prej zogu, që asnjëherë nuk u tut mes burrash e djemsh dhe i bëri vend vetes me punën e saj”./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.