Masat kundër COVID-19/ Prefekti Aliaj: Që nga maji u karantinuan 456 qytetarë në Gjirokastër

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj, informoi mbi masat që janë marrë në këtë qark, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Aliaj tha se nga data 11 maj deri në 20 gusht, në Gjirokastër kanë përfunduar karantinën 456 shtetas, ndërsa në banesa ndodhen të karantinuar gjithsej 169 shtetas.

Po ashtu, Prefekti theksoi se “Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ka vijuar kontrollet në 92 subjekte të ndryshme dhe në 55 mjete për evidentimin e kundravajtjeve administrative.

Aliaj tha se “prej Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor më datë 21 gusht janë kryer në total 107 monitorime në subjekte të ndryshme, nga ku është konstatuar se zbatohej protokolli anti Covid-19 dhe subjektet ishin të pajisura me lejet e ushtrimit të aktivitetit”.

Në vijim të masave, edhe DRAKU Gjirokastër kreu dje 10 inspektime dhe monitorime në subjekte të ndryshme. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.