TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Punonjësit e bashkisë së Tiranës po kujdesen për një qytet sa më të pastër dhe të gjelbëruar në çdo lagje të kryeqytetit.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit thotë se në çdo ditë të javës vijon puna për mirëmbajtjen e qytetit nga riparimi i parqeve të lodrave të fëmijëve e deri tek mirëmbajtja dhe kujdesja sistematike ndaj hapësirave publike.
Specialistët e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit thonë se e shtuna në park është ditë pastrimi dhe përkujdesi me themel, që vizitorët e shumtë të gjejnë vendin perfekt për t’u freskuar dhe relaksuar në këto ditë të nxehta gushti.
“Me shumë përkushtim dhe dashuri, kujdestarët e parkut nisin me pastrimin e rrugëve, këndeve dhe pikave të tjera rekreative, ujitjen e bimësisë, largimin e mbetjeve buzë liqenit, kositjen e barit, ngarkimin dhe transportin e tij me automjet jashtë parkut; etj. Pasdite e gjeni xixë’, referojnë specialistët e bashkisë. z.tosku/j.p/
