Akuzat e PD-së/ Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi: Me gënjeshtra dhe baltë nuk fitoni as një votë më shumë

TIRANË, 22 gusht /ATSH – I. Vata/- Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, hodhi poshtë pasditen e sotme akuzat e Partisë Demokratike, sipas së cilës është bërë ndalimi i shoferit të bashkisë Arbër Bufi me një sasi kanabisi.

Me anë të një deklarate, kryebashkiakja Bufi  shprehet se së pari, ka një shpjegim për të gjithë qytetarët e Roskovecit. “Nuk ndodh as sot dhe në asnjë moment që burime njerëzore apo materiale të institucionit të cilin ma keni besuar, të vihen në shërbim të punëve në shkelje të ligjit”, u shpreh ajo

“Së dyti, për rastin e ndalimit të Arbër Bufit, shofer i Bashkisë, ka një deklaratë zyrtare nga Policia e Shtetit  që nuk ka asnjë lidhje me mashtrimet dhe trillimet e portaleve, të cilat për një “like“ më shumë nuk lexojnë edhe vetë se çfarë shkruajnë. Së treti, për qytetarin dixhital dhe gjithë të tjerët para dhe pas tij: Me këto gënjeshtra dhe baltë të hedhur, nuk fitoni as një votë më shumë, Roskovecin jo e jo. Dhe e fundit, bashkia do të ndjekë rrugën ligjore të ankimimit për çdo shpifje në lidhje me këtë çështje”, shprehet, Majlinda Bufi, kryetare e Bashkisë Roskovec.

Ndërkaq, Policia e Shtetit në komunikimin e rastit të goditjes së lëndëve narkotike njoftoi se shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut Fier, për personat që qarkullojnë me automjete që dyshohet se shpërndajnë lëndë narkotike në doza të vogla.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, arrestuan në flagrancë shtetasit: I. A., 20 vjeç, banues në Lushnjë, K. B., 29 vjeç, banues në Roskovec, D. V., 19 vjeç, banues në Mallakastër. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit nga policia në automjetet që këta udhëtonin, iu gjetën doza me lëndë narkotike canabis sativa, gati për shitje” u shpreh policia.

Policia njoftoi po ashtu nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj 5 shtetasve të tjerë A. B. 35 vjeç; R. B., 20 vjeç; G. B., 22 vjeç; F. Sh., 20 vjeç dhe O. Sh., 30 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po ashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete dhe lënda narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.

 

Më herët, ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj reagoi ndaj lajmeve të medies se makina e kryebashkiakes Bufi kapet me drogë. “Kryebashkiakja ilegjitime e Edi Ramës nuk mohon dot atë që ka dalë në pazarin e Roskovecit me kohë. Ajo përdoret dhe u shërben disa trafikantëve të drogës, njësoj si shefi i saj në Tiranë dhe si shumë homologë në bashki të tjera të vendit”, u shpreh ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.