Rindërtimi/ Kamzë, 1600 fëmijë i rikthehen kopshtit dhe shkollës “Halit Coka” me kushte sipas standardeve më të mira europiane

 

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1043421022739338/

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj u ndal sot në kantierin e rindërtimit të kopshtit e shkollës “Halit Coka”, ku në fund të vitit 200 fëmijë të kopshtit dhe 1400 nxënës, do të kthehen me kushte krejt të reja në mjedise të projektuara sipas standardeve më të mira europiane.

“I gjithë procesi i rindërtimit të kopshtit “Halit Coka”, por edhe shkollës në krah është simboli i rilindjes së një bashkie, që për një kohë të gjatë nuk ka përfituar dot kaq fonde sa çka përfitur këtë periudhe që nga rindërtimi i Sheshit të Kamzës e deri te objektet e rindërtimit të shkollave e kopshteve të dërmtura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se punimet tanimë kanë mbërritur në katin e dytë dhe shumë shpejt do të jenë gati kopshti dhe shkolla për 1600 fëmijë të kësaj zone.

Kopshti dhe shkolla janë pjesë e 143 objekteve arsimore dhe sot, vuri në dukje ministri, jemi në një fazë të avancuar të rindërtimit të objekteve arsimore, por edhe programeve të tjera të rindërtimit.

Ministri, po ashtu theksoi se banorët e prekur nga tërmeti në bashkinë Kamëz po trajtohen edhe me grantet për meremetimin e banesave si dhe me bonus qiraje, derisa banesa e tyre e re të jetë gati.

Kjo bashki, shtoi Ahmetaj është edhe pjesë e planit të rindërtimit për pallatet e njësitë individuale.

“Jemi duke folur për një premtim të dhënë 7 muaj më parë, në kohë të vështira dhe sot e kemi të materializuar. Është një premtim jo vetëm politik, por edhe një premtim njerëzor, i kësaj mazhorance e qeverisë, për të mbajtur fjalën e dhënë, jo thjesht për hirë të politikës, po për t’u qëndruar njerëzve afër në kohë të vështira”, deklaroi Ahmetaj.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Ragip Syli deklaroi se shkolla dhe kopshti shtrihen në një sipërfaqe ndërtimi prej gati 7 mijë m2 dhe se për ndërtimin e tyre po zbatohen standardet më të mira europiane.

Bashkia Kamëz, tha ai, ka hapur katër kantiere ndërtimi për shkollat dhe kopshtet e dëmtuara nga tërmeti.

Po ashtu, bëri të ditur Suli, pritet që këto ditë të përfundojë edhe projekt-ideja për pallatet e shpallura të pabanuara në zonën e Valiasit.

Në bashkinë Kamëz do të rindërtohen nga e para 22 objekte arsimore, si pjesë e programit të rindërtimit të 143 objekteve arsimore të rrënuara nga tërmeti i nëntorit të kaluar dhe si dëshmia më kuptimplotë e gjithë angazhimit jo vetëm institucional të një qeverie që bën detyrën, por mbi të gjitha të reagimit solidar me njerëzit e për njerëzit, të kësaj shumice qeverisëse./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.