Në liqenin e Shkodrës vendosen shenjat e reja ndarëse me sinjal ndriçues në kufirin shtetëror me Malin e Zi

DCIM100MEDIADJI_0023.JPG

TIRANË, 21 gusht/ATSH/Policia e Shtetit ka njoftuar se në liqenin e Shkodrës në kufirin shtetëror me Malin e Zi, janë vendosur 6 shenja kufitare ujore të reja të pajisura edhe me sinjal ndriçues.

“Në zbatim të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi “Për rindërtim dhe riparimin e shenjave të kufirit në vijën e kufirit shtetëror Shqipëri-Mali i Zi” nënshkruar në 6 nëntor 2009, nga data 17 deri në datën 21 Gusht 2020, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, punoi dhe realizoi rivendosjen e 6 shenjave kufitare ujore të reja në vijën e kufirit shtetëror në liqenin e Shkodrës’, njofton zyrtarisht Policia e Shtetit.

Ndërkaq, punimet u kryen në bashkëpunim me palën malazeze të Komisionit të Përbashkët për rindërtimin dhe riparimin e shenjave të kufirit në vijën e kufirit shtetëror Shqipëri-Mali i Zi, në mirëkuptim të plotë duke ju përmbajtur plotësisht dokumenteve të Marrëveshjes Ndërkombëtare.

Policia e Shtetit informon se në dy vitet e fundit pala shqiptare ka bërë rivendosjen e 8 shenjave të reja ujore në kufirin me Malin e Zi në liqenin e Shkodrës. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.