TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Policia e Tiranës finalizoi operacionin policor të koduar “Alliasi”, ku janë vënë në pranga tre persona, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër procedohet në gjendje të lirë.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Alliasi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. H., 58 vjeç, i dënuar më parë (organizator dhe poseduesi i lëndës narkotike); Sh. M., 26 vjeç, i dënuar më pare për veprën penale “Mashtrimi” ; R. Xh., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë”, bën të ditur Policia.
Këta shtetas u kapën në flagrancë me doza lënde narkotike më datë 19.08.2020, në Tiranë. Gjatë operacionit nga Policia u bë sekuestrimi i rreth 1 kg e 850 gramë lëndë narkotike heroinë, një armë zjarri pistoletë, një peshore elektronike, një automjet dhe 4 aparate celular.
Po në kuadër të operacionit u shpall në kërkim shtetasi A. D., 46 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë një 34-vjeçare.
“Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, është marrë informacion në rrugë operative se shtetasi S. H., merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit Heroinë në zonën e Alliasit, Tiranë dhe se po tentonte t’ju shiste dy të rinjve rreth 200 gr heroinë.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, nisur dhe nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi S. H., pasi ka qënë dhe më parë i arrestuar nga Seksioni i Narkotikëve po për trafikim të narkotikëve dhe aktualisht ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, është organizuar operacioni policor “Alliasi” me qëllim dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal dhe vënien në pranga të autorëve.
Si rezultat para banesës së shtetasit S. H., shërbimet e policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin S. H., me një sasi lënde narkotike heroinë të cilën do t’ia u shiste shtetasve SH. M dhe R. Xh., të cilët u kapën në flagrancë bashkë me këtë shtetas”, informon Policia.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve S. H., Sh. M. dhe R. Xh., dhe për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”, po në ngarkim të shtetasit S.H., si dhe për veprën penale ”Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, në ngarkim të 34-vjeçares.
/gj.m//a.a/
