Shërbime më cilësore për qytetarët/ Vijon riorganizimi i mjediseve në drejtorinë e transportit rrugor në Fier

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Drejtoritë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor po vijojnë punimet me ritme të larta për të përmirësuar shërbimet.

Konkretisht po vijojnë investimet në DRSHTRR Fier, e cila ka kryer 195 381 shërbime në 2019-ën që përfshin bashkitë Fier, Lushnje, Divjakë, Mallakastër, Roskovec dhe Patos.

Kjo DRSHTRR renditet e para për jugun e Shqipërisë dhe e treta në rang kombëtar nga 13 drejtoritë rajonale. Deri në 2019 janë 57 221 mjete të regjistruara dhe 77 642 drejtues mjeti.

Investimi në DRSHTRR Fier përfshin shtesat anësore, në krahun perëndimor të godinës ekzistuese, me sipërfaqe totale rreth 250 m2 dhe e organizuar në 2 kate, si dhe riorganizim i ambienteve ekzistuese, duke ofruar komoditet dhe cilësi.

Lartësia maksimale e strukturës shkon në 6.95 m dhe ka rrjet të ri elektrik, sistem aspirimi, ngrohje-ftohje.

Po ashtu është e pajisur me sallë të re lejedrejtimi me 10 poste shërbimi, klasë të re për marrjen në provim me 25 poste për kandidatët, 2 postet e komisionerëve të ndara nga klasa me xham, 4 poste për zyrën e komisionerëve të marrjes në provim, 2 poste fotografimi në hyrje të klasës së marrjes së provim, 1 post për printerin e rrjetit të sallës së testimit, 2 poste për sistemin e monitorimit me kamera IP, dhe ambiente ndihmëse.

Po ashtu është ngritur një arkivë e re në katin e dytë të shtesës, rreth 125 m2 si dhe ambiente sanitare të reja.

Ambientet që rikonstruktohen janë salla e regjistrimit të mjeteve me 11 poste shërbimi; arkiva e vjetër; protokolli i arkivës; ambientet magazinuese dhe mensa.

Ndërhyrjet e parashikuara në fazën finale të punimeve përfshijnë rikonceptimin e jashtëm, brandimin e godinës; rikonceptimin e sheshit funksional në pronën e DRSHTRR Fier; disiplinimin e ujërave sipërfaqësore; riorganizimin e parkimit të automjeteve që marrin shërbim; riorganizimin e qarkullimit të mjeteve, këmbësorëve me sinjalistikë horizontale dhe vertikale; vendparkim me sipërfaqe të gjelbra dhe bimësi si dhe ndriçimin e sheshit me shtylla 4.5m.

DRSHTRR Fier ka një sipërfaqe prej 2 281.2 m2, me sipërfaqe ndërtimi 580 m2. Sipërfaqja e rrugës dhe e parkimit zë një hapësirë prej 750 m2 dhe 140m2 janë sipërfaqe të gjelbëruara.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.