Organizuan ceremoni familjare në kundërshtim me Aktin Normativ, gjobiten me nga 1 milion lekë dy pronarët e lokaleve në Krujë

TIRANË, 20 gusht /ATSH – I. Vata/ Policia e Krujës ka ndëshkuar me masë administrative me nga 1 milion lekë 2 pronarë subjektesh si dhe mbylljen e aktivitetit për njërin prej tyre për një periudhë 6-mujore për njërin prej tyre, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në njoftimin për shtyp nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës se, “shërbimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit L.C., i cili në mënyrë të përsëritur organizonte ceremoni familjare. Për këtë subjekt, shërbimet e Policisë Krujë, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore. Për subjektin me pronar shtetasin A.V., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000  lekë, pasi ka organizuar ceremoni familjare në kundërshtim me Aktin Normativ”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.