Berat/ Pelegrinazhi në malin e Tomorrit nga 20-25 gusht, besimtarët kremtojnë festën e Abaz Aliut

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Data 20 gusht shënon nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit, një mal i konsideruar “i shenjtë” pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.

Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.

Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.

Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorrin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorit”./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.