100-vjetori i Luftës së Vlorës/ Meta vlerëson 8 figura të spikatura patriotike të krahinës së Tepelenës

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot tetë figura të spikatura patriotike të krahinës së Tepelenës për kontributin e shquar në Luftën e Vlorës.

Në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Bashkinë e Tepelenës, ku vlerësoi tetë atdhetarë të spikatur të kësaj krahine, me kontribut të shquar në mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, të dalluar për guximin e trimërinë në organizimin dhe drejtimin e luftës kundër pushtuesve italianë në vitin 1920.

Fillimisht, Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi, Prefekti i Qarkut, Astrit Aliaj, Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Lindita Rova, autoritetet vendore dhe dhjetëra qytetarë, vendosi një kurore me lule në bustin e Heroit të Popullit, Selam Musai dhe u përul me respekt e mirënjohje para veprës dhe jetës së tij.

Në një ceremoni solemne, të zhvilluar në portën e Kalasë së Ali Pashë Tepelenës, nga ku 100 vite më parë u nisën luftëtarët e disa prej Çetave Çlirimtare drejt Vlorës, Presidenti Meta, pasi vlerësoi rëndësinë e madhe të kësaj ngjarjeje historike dhe vlerat e mëdha patriotike të luftëtarëve, simbole të heroizmit dhe qëndrueshmërisë shqiptare, nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Selam Musai (pas vdekjes).

Po ashtu, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” u vlerësuan Brahim Selimi (pas vdekjes) dhe Hasan Xhiku (pas vdekjes).

Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Kreu i Shtetit çmoi Kapo Topullin (pas vdekjes), Veli Hashorva (pas vdekjes) dhe Shezai Çomo (pas vdekjes).

Gjithashtu, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta nderoi Asim Mero (pas vdekjes) dhe Novruz Bello (pas vdekjes).

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, Kreu i Shtetit u shpreh se “nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të tyre është lartësimi i Shqipërisë përpara sfidave të kohës”.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.