STUDIM – Testimi dhe gjurmimi thelbësorë, por jo të mjaftueshëm për të trajtuar virusin

PARIS, 19 gusht /ATSH-AFP/ – Testimi për COVID-19 dhe gjurmimi i kontakteve të personave të infektuar janë masa thelbësore për të ngadalësuar qarkullimin e koronavirusit, por nuk janë të mjaftueshme nëse nuk kombinohen me veprime të tjera, sipas studiuesve britanikë.

“E realizuar në mënyrë efikase, strategjia “test-gjurmim-izolim” mund të zvogëlojë shkallën e riprodhimit të virusit me 26%”, theksoi ekipi i studiuesve nga “Imperial College” i Londrës

Ky reduktim prej 26% arrihet me kusht që testet të kryhen sapo të shfaqen simptomat, që rezultatet e tyre të jepen brenda 24 orëve, që izolimi i njerëzve në kontakt me pacientin të bëhet gjithashtu brenda 24 orëve dhe që të paktën 80% e të infektuarve dhe të kontakteve të tyre të jenë identifikuar.

Në Francën metropolitane, vonesa midis fillimit të simptomave dhe marrjes së mostrës midis rasteve simptomatike është mesatarisht 3,5 ditë, sipas Public Health France.

Shpesh duhen disa ditë, pas kësaj, për të marrë rezultatet, ashtu si edhe në SHBA dhe BM.

“Edhe në vendet që i afrohen këtyre kritereve, si Koreja e Jugut, Tajvani dhe Gjermania, në veçanti, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të ulur sa duhet nivelin e riprodhimit”, përfundon studimi./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.