Në kantier edhe shtëpitë e reja në bashkinë Kavajë/Në fund të shtatorit nis puna për ndërtimin e pallateve të reja për afro 400 familje

 

 

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/329983904800019/?t=2

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, inspektoi sot punimet në kantierin e shtëpive të reja në Golem, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Duam që këto familje ta presin Vitin e Ri nën çatinë re, me kushte shumë më të mira se ato që kishin para fatkeqësisë”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ahmetaj sot u ndal në kantierin e ndërtimit të familjes së Adem Begesë në Golem të Kavajës, e ndërtuar në vitin 1966. Shtëpia e Ademit u dëmtua tërësisht nga tërmeti i 26 nëntorit, por ai brenda 6 javësh do të mund të futet në shtëpinë e re të ndërtuar nga fondet e buxhetit të shtetit.

Në këtë zonë do të ndërtohen 19 njësi individuale, ndërsa në të gjithë bashkinë e Kavajës janë 140 shtëpi individuale që do të ndërtohen nga buxheti i shtetit.

Puna për rindërtimin e banesave individuale ka nisur paralelisht edhe në njësitë e tjera, Luz, Helmas, Synej dhe në qytetin e Kavajës, ndërsa vijojnë me ritme të shpejta punimet për rindërtimin e infrastrukturës në dy zonat e reja zhvillimore, Kavajë dhe Golem, ku ministri Ahmetaj informoi se në fund të shtatorit do të hidhen edhe themelet e ndërtimit të pallateve të reja për afro 400 familje.

Ministri Ahemtaj theksoi se qeveria do t’i qëndrojë premtimit që pjesa më e madhe e 3400 familjeve që janë pjesë e programit të rindërtimit të shtëpive individuale të futen në banesat e reja para Vitit të Ri.

Po ashtu, ministri theksoi se po vijon me ritme të larta edhe ndërtimi i 143 shkollave në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti, ndërsa në Kavajë janë dy shkolla për të cilat tashmë ka nisur puna.

Aktualisht e gjithë zona e prekur është një kantier i madh pune, solidariteti, angazhimi historik të qeverisë shqiptare, për njerëzit dhe me njerëzit./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.