Konfirmohet folezimi i lejlekut të zi në Shqipëri

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ – Konfirmohet folezimi i lejlekut të zi në Shqipëri.

Shoqata për Mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) ka publikuar foto të vrojtimit të një familjeje të lejlekut të zi (Ciconia nigra) në vendin tonë.

Sipas kësaj PPNEA, “pikërisht këto foto përbëjnë raportimin e parë dhe konfirmojnë folezimin e këtij lloji në Shqipëri”.

“Lejleku i zi konsiderohet si një lloj endacak, vetmitar si dhe preferon të ndërtojë foletë në pemë të larta, në pyje të vjetër të pashqetësuar ose në shkëmbinj, siç është dhe rasti i dokumentuar në foto. Dieta e tij konsiston më së shumti me peshq, por ushqehet dhe me amfibë, reptilë, insekte etj”, thekson PPNEA.

“Ky dokumentim është bërë në grupin e pasionantëve te fotografise së jetes së egër Ëildlife – Albanian Photographers nga Gert Hoxha, të cilin e falenderojmë pa masë për këtë gjetje dhe raportim kaq të rëndësishëm. Ky lajm është shpresëdhënës për të gjithë ne dhe urojmë që kjo familje të mos jetë e vetmja e këtij lloji në vendin tonë”, nënvizon PPNEA.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.