Durrës/ Shkollat e mesme profesionale, mundësi integrimi për të rinjtë në tregun rajonal të punës

 

https://www.facebook.com/aniladenaj.al/videos/3037890299667575/?t=10

 

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Arsimi profesional u ofron të rinjve shqiptarë jo vetëm aftësim, por edhe mundësi punësimi në kohë reale.

Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbështet zhvillimin e arsimit profesional praktik dhe modern për të plotësuar nevojat e biznesit me fuqi punëtore të kualifikuar.

Shkollat e mesme profesionale shtetërore në qarkun e Durrësit ofrojnë mundësi që të zgjidhni ndër profesionet më të kërkuara atë që ju përshtatet për t’u integruar në tregun rajonal të punës.

Avantazhet që ofrohen janë mësimdhënie me metoda bashkëkohore, staf i specializuar për mësimin në distancë, ashtu si dhe praktika profesionale në biznes

Shkolla e Mesme “Hysen Çela” ofron profilet, hoteleri-turizëm, teknologji ushqimore, ekonomik, konfeksione dhe detari.

Shkolla e Mesme “Beqir Çela” ofron profilet shërbime mjetesh transporti, elektronikë e integruar me elektroteknikën, instalues i sistemeve termohidraulike dhe TIK.

Në këto shkolla ofrohen bursa për nxënësit nga familje me vështirësi ekonomike dhe me probleme sociale, vajzat që zgjedhin profesione jotipike, nxënësit me mesatare mbi 9 dhe nxënës që janë pjesë e komunitetit rom ose egjiptian.

Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional është rritur në mënyrë të ndjeshme, me rreth 3.4%, falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional në vitet e fundit, duke synuar një përshtatshmëri më të madhe me nevojat e tregut të punës dhe biznesit.

Numri i nxënësve në 35 shkollat e arsimit profesional në vend është rreth 20 mijë.

Megjithatë, qeveria shprehet se ky numër është i pamjaftueshëm për nevojat e tregut të punës dhe në këtë drejtim duhet të rritet bashkëpunimi mes qeverisë, biznesit dhe aktorëve në tregun e punës./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.