COVID-19/ “Virusi nuk njeh moshë”, mjeku Kalo: Të rinjtë në autobusa pa maska, të merren masa për të papërgjegjshmit

TIRANË, 19 gusht/ATSH/Mjeku i njohur infeksionist pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tritan Kalo u ka kërkuar institucioneve shtetërore që të mos lejojnë asnjë qytetar që të udhëtojë në urban nëse nuk mban maskë dhe nuk zbaton masën e distancimit social.

Mjeku thotë se të rinjtë e moshës 18-35 vjeç hynë në këto autobusa pa maska dhe kur u kërkohet që të ruajnë distancën, ata tregohen të paedukatë. Sipas tij, mos zbatimi i këtyre rregullave në autobusa është i rrezikshëm jo vetëm për ata por edhe për të tjerët përreth.

“Kohë kovidiane….18.08.2020….Kontrollet e Policisë Bashkiake në Tiranë nëpër autobusët urbanë, sa për të dërguar foto te superiorët se gjoja aty zbatohet mbajtja e maskave nga të gjithë udhëtarët, nuk i vlejnë askujt nëse ato fshehin realitetin…..Rënia në kënaqësi dhe mos marrja e masave nuk i shërbejnë përballjes së suksesshme me sfidën ndaj Sars-Cov2/COVID-19”, thotë Kalo.

“Unë jam përdorues i rregullt i këtyre linjave, dhe ajo që shoh tregon se jo pak individë, por sidomos të grup-moshës 18-35 vjeç hynë në këto autobusa pa maska….Njëkohësisht jo pak prej tyre vrëngosen kur u kërkon të rinë pak të distancuar nga të tjerët, pa përmendur edhe paedukatësinë e tyre në motivimin e kësaj sjellje të rrezikshme për ata/ato vetë ose për të tjerët rreth tyre….Agjencitë e lajmeve shprehen prej shumë ditësh e në shumë gjuhë të Botës se: “Një nga arsyet e shtimit të rasteve të infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19, është mos zbatimi i rregullave bazë të distancimit fizik, mbajtjes së maskave në mjedise të mbyllura apo aty ku nuk është e mundur respektimi i kësaj distance nga moshat reja.”, shprehet Kalo.

Sipas Kalos, në Infektiv janë shtuar rastet e shtrimeve të të rinjve me COVID, po ashtu edhe humbjet e jetëve në këto radhë.

“Në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT ose në Spitalin COVID-19 janë shtuar rastet e shtrimeve të të rinjve si edhe humbjet e jetës prej tyre…..Infeksioni nga Sars-Cov2/Covid nuk po njeh më moshë prekje si dhe marrje jete……Reagimi ynë si qytetarë nuk u mungon por ligjin në këtë rast duhet ta zbatojnë organet Ligjzbatuese, ku hyn edhe policia bashkiake duke mos i lejuar vijimin e udhëtimit këtyre shtetasve të pa bindur, për të evituar ndërkohë përplasjet verbale dhe ndoshta edhe fizike në mes të qytetarëve, të cilët udhëtojnë në këto linja të qarkullimit urban…..Punë sa për t’u dukur boll janë kryer në këto 30 vite demon-kraci…..flitet për të mbrojtur jetët tona nga një rrezik i mundshëm infektimi në këto linja urbane, prej individëve të pandërgjegjësuar…..act now” thotë ai. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.