Ritme të larta punimesh në rrugën Kardhiq – Delvinë, një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin

 

https://www.facebook.com/ministriaeinfrastrukturesdheenergjise/videos/979351932535294/?t=17

 

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi sot se punimet në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë Loti 4 po vijojnë me ritme të larta.

Mbi punimet në këtë aks rrugor i cili do ketë një imapkt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit Kryeministri Edi Rama tha se, në sezon e ardhshëm turistik kjo rrugë do jetë e kalueshme dhe shkurtimi i udhëtimit nga Gjirokastra në Sarandë e nga Tirana drejt Sarandës do bëhet realitet.

“Vazhdon me ritme të larta puna në kantierin e rrugës së re Delvinë – Kardhiq, me synimin që sezonin e ardhshëm turistik aksi të jetë i kalueshëm dhe shkurtimi i stërpremtuar në dekada, i kohës së udhëtimit, nga Gjirokastra në Sarandë e nga Tirana drejt Sarandës, të bëhet realitet”, shprehet Rama.

Sipas MIE-s, në Lotin 4 të rrugës Kardhiq – Delvinë, vijon puna për të përmbyllur brenda afatit këtë segment, pjesë e të gjithë veprës, e cila do të lehtësojë udhëtarët dhe do të shkurtoj kohën e udhëtimit.

Loti i 4 i aksit rrugor Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 6.1 km dhe deri tani janë realizuar 78% e vëllimit të punimeve. MIE bën të ditur se ka përfunduar shtresa e konglomeratit në kilometrin e parë të rrugës.

Ndërkohë në fillim të këtij muaji kanë nisur edhe punimet për tunelin që do të lidhë aksin e ri Delvinë-Kardhiq.

Punimet për ndërtimin e tunelit pritet të përfundojnë në fillim të vjeshtës së vitit 2021.

Rruga Kardhiq – Delvinë një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin e të gjithë zonës ka një gjatësi prej 34 km.

Ajo është cilësuar një nga akset me prioritare që shkurton me 3 orë kohë nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

Ky është një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin e të gjithë zonës, që siguron lidhjen shumë më shpejtë të Gjirokastrës me bregdetin duke evituar Qafën e Muzinës për të vijuar përmes Nivicës. /a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.