Nxënësit e shkollës “Vilson Blloshmi” në Librazhd së shpejti, palestër me kushte bashkëkohore

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Me nisjen e vitit të ri shkollor 720 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Vilson Blloshmi” në Librazhd do të kenë në dispozicion të tyre një palestër me të gjitha kushtet bashkëkohore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bashkë më kryetarin e bashkisë, Kastriot Gurra panë nga afër ecurinë e punimeve, të cilat po kryhen me ritme të shpejta dhe brenda të gjitha standardeve bashkëkohore.

“Kjo palestër është konceptuar si një minipallat sporti dhe ka hapësirat e mjaftueshme dhe kushtet e nevojshme për ushtrimin e të gjithë disiplinave sportive. Risi e këtij investimi është dhe fakti që kjo palestër, përveç nxënësve do t’i shërbejë edhe komunitetit dhe sidomos do të ndikojë në rikrijimin e skuadrave të qytetit”, – tha Balla.

Sipas tij, investimet në arsim në Librazhd mbeten një prioritet dhe pas kaq shumë vitesh, ndoshta dekadash, në Librazhd ndërtohet një sallë sportive e kushteve më të mira.

Balla u shpreh se “kjo sallë përmbush edhe kriteret e federatave sportive për lojërat me dorë, sepse qoftë nga kapaciteti, apo nga përmasat e sallës sportive, nga ky ambient do të përfitojnë, jo vetëm nxënësit, por pse jo, të rikthehen edhe ekipet e të rinjve të sporteve me dorë”.

“Viti i ri arsimor duhet të ketë vëmendjen tonë për të rikonstruktuar të gjitha shkollat e mesme në Bashkinë Librazhd dhe për të vijuar më tej me shkollat 9-vjeçare”, – nënvizoi Balla.

Ai premtoi se do të vazhdojmë gjatë gjithë verës të punojmë për përgatitjen e mjediseve arsimore në mënyrë që viti i ri shkollor të na gjejë të përgatitur./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.