BRUKSEL – Samit i jashtëzakonshëm për krizën postzgjedhore në Bjellorusi

BRUKSEL, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kreu i Këshillit Europian, Charles Michel ka planifikuar një samit të jashtëzakonshëm, ditën e mërkurë, për të diskutuar krizën pas zgjedhjeve në Bjellorusi.

“Bjellorusia ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e saj dhe të zgjedhë lirshëm udhëheqësin e vet”, theksoi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në Twitter.

“Dhuna ndaj protestuesve është e papranueshme dhe nuk mund të lejohet”, shtoi ai.

Mijëra protestues bjellorusë u arrestuan, shumë prej të cilëve pretenduan se ishin keqtrajtuar apo madje torturuar në paraburgim.

Protestat shpërthyen në vendin e Europës Lindore pas zgjedhjeve në fillim të këtij muaji që i dhanë një fitore të diskutueshme presidentit aktual Aleksander Lukashenko.

Bashkimi Europian i dënoi zgjedhjet si “aspak të lira dhe aspak të drejta”.

Javën e kaluar, ministrat e Jashtëm të BE vendosën të fillojnë përgatitjen e sanksioneve kundër zyrtarëve bjellorusë, përgjegjës për dhunën e policisë dhe mashtrimet në zgjedhje./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.