Situata në kufi me Greqinë/ Plotësohet kuota prej 300 personash në ditë në Kapshticë, në Kakavijë do lejohen vetëm 750

TIRANË, 16 gusht/ATSH/-Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë bëri të ditur sot se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë drejt Greqisë lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas dhe aktualisht kjo kuotë është plotësuar.

Në njoftim, sqarohet se për shkak të plotësimit të kësaj kuote kalimi të qytetarëve drejt Greqisë, nga ana e palës greke është pezulluar puna.

“Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas. Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna”, deklaron policia.

Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur.

Ndërsa në Kakavijë duke nisur që nga dita e sotme ora 06:00 deri në orën 22:00, do lejohen të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë sipas rregullave të vendosura nga pala greke.

Një ditë më parë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi të gjithë shtetasit se duke nisur nga dita e sotme të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi, do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor.

Në Kakavijë pas arritjes së një marrëveshje nga autoritetet shqiptare me palën greke u punua edhe gjatë orëve të vona të natës ku është bërë e mundur kalimi i një numri të madh qytetarësh shqiptarë drejt Greqisë.

Kushtet që çdo qytetar duhet të plotësoje për të kaluar pikën doganore dhe për t’u futur në Greqi janë, testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç, vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit, vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF si dhe testi i COVID-19 (RT-PCR) që është i vlefshëm vetëm nga laboratorët e lincesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Forcat e Armatosura dhe efektivët e Policisë së Shtetit kanë asistuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe në orët natës qytetarët të cilët ishin në pritje për të kaluar nga krahu tjetër i kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.