Hyrja në Itali/MEPJ: Autoritetet tampon falas në aeroport për qytetarët që nuk kanë detyrim të paraqesin testin

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nisur nga vendimet e vendeve të ndryshme lidhur me kufizimet në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, njofton se sipas Dekretit të fundit, datë 12 gusht 2020, të shtetit italian lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, nevojitet paraqitja e testit me rezultat negativ për COVID-19 për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë.

Aktualisht, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre.

Kjo masë, sipas MEPJ-së, “është marrë pasi shtetet e tjera nuk janë të përfshira në Dekret, si dhe për shkak të situatës së pandemisë në Itali”.

Me qëllim parandalimin e situatave problematike në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme fton qytetarët që të ndjekin informacionin e përditësuar mbi lëvizjen jashtë vendit në web-in zyrtar: https://bit.ly/2E2s3MZ , si dhe të  shfletojnë rubrikën COVID -19. “Në këtë hapësirë, mund të aksesoni informacionin për shtetin ku doni të lëvizni, kriteret përkatëse dhe procedurat e ligjshme që duhen plotësuar nga ana juaj, për të realizuar kalimin në shtetin tjetër”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Po ashtu, MEPJ kërkon mirëkuptimin e çdo qytetari, që udhëtimet të ndërmerren vetëm për arsye madhore dhe të shmangen udhëtimet që nuk janë të domosdoshme. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.