Radhët e gjata të automjeteve në Kakavijë/ Policia e Shtetit u vjen në ndihmë qytetarëve

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë vijon radha e gjatë e pritjes së qytetarëve dhe automjeteve për të kaluar në Greqi.

Kryerja e testit COVID-19 dhe orari i kufizuar nga pala greke në pikën kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë u bënë shkak për kalimin me vonesë të qytetarëve.

Në këtë kuadër, edhe sot, Policia e Shtetit u ka ardhur  në ndihmë qytetarëve, të cilët për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, po qëndrojnë në radhë me orë të gjata pritjeje për të kaluar në shtetin grek.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.