Projekti i Unazës së Madhe/ Realizohen 70% e punimeve

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Unaza e Madhe e Tiranës është projekti i radhës i qeverisë, që po transformon infrastrukturën rrugore të kryeqytetit me impakt në ekonomi, lehtësim të qarkullimit për mjetet dhe me një dimension të ri për zhvillim urban.

Projekti i Unazës së Madhe me një vlerë investimi prej 4.9 miliardë lekë, do të lehtësojë trafikun në kryeqytet, por do të jetë edhe një tjetër vepër që rrit imazhin e Shqipërisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi pamje nga kantieri i ndërtimit ku po punohet me intensitet në Unazën Lindore të këtij aksi loti i 3-të.

“Janë realizuar 70% e punimeve në këtë vepër ndërsa është zgjidhur problemi i shpronësimeve”, bën të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Plotësimi i kësaj vepre që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në kryeqytetet duke lehtësuar ndjeshëm trafikun e makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.