Programi i Rindërtimit/ Shkolla e mesme “Kajo Karafili” në Shijak gati në nëntor, mjedise të reja bashkëkohore për nxënësit

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Punimet për rindërtimin e shkollës së Mesme së Bashkuar “Kajo Karafili”, në Shijak po vijojnë me ritme të shpejta dhe brenda 26 nëntorit ajo do të jetë gati për nxënësit. Kjo është një nga 143 që po rindërtohen nga financimi i buxhetit të shtetit dhe donatorëve.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj duke ndjekur punimet për rindërtimin e shkollës së Mesme të Bashkuar “Kajo Karafili”, ka bërë të ditur se në ky mjedis do të ketë një hapësirë prej 2 900 metër katror, të projektuar me më shumë klasa, laboratorë, palestër, ambiente të gjelbëruara e rekreative për fëmijët, si dhe me të gjithë funksionet e një qendre komunitare.

“Punimet në këtë shkollë përfundojnë më 26 nëntor. Nxënësit e shkollave do lajmërohen që më 26 nëntor të futen në shkollë. Shkolla e bashkuar është një nga 143 shkollat që po rindërtohen nga e para, nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët. Do të mbaroj në kohën e duhur, për të pritur nxënësit dhe gjimnazistët e për të qenë një qendër komunitare qoftë në ambientet e brendshme ashtu dhe në të jashtmet. Janë 143 shkolla që po ndërtohen nga kjo qeveri shqiptare, nga Komisioni Europian, nga qeveria e Gjermanisë, Italisë, Katarit, Sllovakisë dhe Sllovenisë. Pra 143 shkolla të reja”,- tha Ahmetaj.

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Kajo Karafili” është një nga institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.