Kursi i këmbimit /Leku është nënçmuar kundrejt euros me rreth 1.4% në tremujorin e tretë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Kursi i këmbimit valutor vendas euro/lek është luhatur ngushtësisht rreth vlerës 124.1 lekë/euro që prej fundit të muajit prill.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ky nivel është rreth 1.6% më i lartë se ai i shënuar në dy muajt e parë të vitit, përpara prekjes së vendit tonë nga pandemia.
Në krahasim me një vit më parë, leku është nënçmuar kundrejt euros me rreth 1.4%.
Ekspertët argumentojnë se, situata e pandemisë dha efekte në reduktimin e prurjeve sezonale të turizmit dhe dobësimin e aktivitetit ekonomik në përgjithësi të cilat diktuan mungesën e mbiçmimit sezonal të lekut gjatë tremujorit të dytë.
Banka e Shqipërisë vëren se, treguesit e stresit në tregun valutor – luhatshmëria dhe
spread -et e kuotimit – janë kthyer në vlerat e tyre normale.
Gjithashtu, në treg nuk vërehen pozicionime të njëanshme për blerje apo shitje nga aktorët e tregut. Treguesi i anshmërisë dëshmon mungesën e pritjeve të njëanshme për mbiçmim apo nënçmim të lekut. /a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.