Kalimi drejt Greqisë/ 6 788 persona kaluan në pikat kufitare në 24 orët e fundit, 1 960 shtetas të huaj

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit nga pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës kanë kaluar 6 788 persona, prej tyre 1 960 shtetas të huaj.

Policia e Shtetit ka bërë ne dije se, në mesin e atyre që kaluan ka edhe shumë amerikanë, britanikë, francezë, polakë, apo turq, të cilët kanë qëndruar në radhë për orë të tëra së bashku me emigrantët shqiptarë.

Në 24 orët e fundit, gjatë ditës së premte kufirin me Greqinë, në Kakavijë dhe Kapshticë e kanë kaluar 6 788 persona. Nga këta 1 960 janë shtetas së huaj, pjesa më e madhe janë shtetas greke apo emigrant që kanë dokumente dhe pasaporta të shtetit grek.  Policia e Shtetit sqaron se në Kapshticë kanë kaluar 4 518 shtetas nga të cilët 3 452 shtetas shqiptar me leje qëndrimi greke, 1 066 shtetas të huaj, 1 057 e të cilëve me pasaporta greke, 3 turq, 2 francezë dhe 4 polakë.

Në Kakavijë kanë kaluar 2 270 persona nga të cilët 1 376 shtetas shqiptar me leje qëndrimi në Greqi dhe 894 te huaj,  877 e të cilëve me pasaporta greke, një hungareze, katër britanikë, një malazeze, dy qiprotë, një amerikan si dhe 8 persona nga Ukraina dhe Bullgaria.

Gjatë ditëve të fundit në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës e Kakavijës janë krijuar radha të gjata, të cilat janë shkaktuar nga kërkesa e palës greke për kryerjen e tamponit për COVID-19. /a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.