Homazh/ Kolë Idromeno, figurë jashtëzakonisht tërheqëse dhe gur këndor në artet shqiptare

TIRANË, 15 gusht/ATSH/Kolë Idromeno, autori i Xhokondës shqiptare, “Motra Tone”, lindi në Shkodër, më 15 gusht 1860.

Duke përkujtuar këtë figurë mjaft interesante i cili la gjurmë në artin shqiptare, Kryeministri Rama shprehet se, “Idromeno ishte sa piktor, po aq fotograf, sa skenograf po aq skulptor, sa arkitekt po aq edhe zotërues i artit epistolar dhe partiturave muzikore. Ishte geg nga Saraçët e t’amblit, po aq sa arvanit nga Idromenot e lisit. Amalgamë e hatashme e Shqipërisë bizantine dhe asaj romane, përkatësinë e dyfishtë ndaj dy universeve të një gjaku, e kishte të skalitur në emrin e tij të pagëzimit, Spiridhon, shenjti mirëbërës i Korfuzit, njësoj i veneruar, si nga ortodoksët po ashtu edhe nga katolikët”.

“Midis katedrales katolike të Korfuzit dhe rrugës që të çon në pallatin e vjetër të familjes stradiote Riki, aty ku janë mbledhur galeritë e piktorëve dhe antikuarëve, ndodhet edhe sot rruga Idromeno, dëshmi e gurrës së pandërprerë krijuese që rrodhi në dejet e kësaj familje arbëreshe, pargaliote dhe hidriote dhe që Korfuzit, krenarisë së Sinjorisë venedikase, i dha dhaskalë e klerikë të ndershëm”, vijon Rama.

“Gjithë kjo sintezë adriatiko-joniane ngjizi, bashkë me talentin e dhënë nga Zoti, Idromenon e “Motrës Tone” dhe mrekullive të tjera plastike që njohim apo ende jo sa duhet, por edhe Idromenon e orkestrës Daullja te Palok Kurtit, Idromenon e Dritëshkronjës me të njëjtin emër dhe Idromenon e eksperimentit të “theatrit elektrik”, belbëzim i kinemave të para’, thotë Rama në nder te figurës së tij”, tha Rama.

Rama bën të ditur se Muzeu Idromeno, do t’i shtohet Shkodrës si një destinacion kulturor, akademik e turistik.

“Figurë jashtëzakonisht tërheqëse dhe gur këndor në artet shqiptare, Kole Idromeno e ruan edhe sot e gjithë ditën misterin e tij që veç pret të zbulohet e të kundrohet në vijim, në ndërkohën që bashkë me Luçianon, drejtorin ekcentrik e pasionant të muzeut “Marubi”, shpëtimtar i mijëra filmave të aparatit fotografik të dinastisë së madhe shkodrane e europiane të Marubëve, po punojmë për Muzeun Idromeno, i cili do t’i shtohet Shkodrës si një destinacion kulturor, akademik e turistik”, u shpreh Rama.  z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.