Ecuria javore e kursit të këmbimit / Leku i qendrueshëm ndaj valutave

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, gjatë javës 9-15 gusht Leku ka qenë i qëndrueshëm ndaj monedhave të huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro e nisi javën në kuotën 123.65 lekë ndërsa këmbehet në fundjavë në vlerën 123.83 lekë duke shënuar kështu një rritje të lehtë të papërfillshme kundrejt lekut.

Ndërsa monedha e gjelbër amerikane është këmbyer të hënën me 105.19 lekë dhe është zhvlerësuar në mes të javës në vlerën e 104.74 lekëve, duke u rikuperuar sërish këtë fundjavë për t’u ngjitur në kuotën 105.06 lekë, pra me një diferencë javore prej 0.13 lekë.

Sipas të dhënave nga BSH-ja, paundi britanik ka regjistruar luhatje të vazhdueshme të vlerës por është ankoruar në kuotën e 137 lekëve përgjatë 7 ditëve. Ndërsa franga zvicerane ka ndjekur një linjë progresive duke u këmbyer në fillim të javës me 114.84 lekë për të arritur më pas në vlerën e 115.25 lekë ditën e shtunë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.