COVID-19 – Kurz: Kontrolle më të rrepta në kufij

VJENË, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari austriak, Sebastian Kurz kërkoi sot kontrolle më të rrepta në kufij për ata që kthehen nga pushimet e tyre, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 në vend.

“Këtu duhet të ketë kontrolle më të rrepta”, tha ai për gazetën “Oesterreich”.

“Pas një qëndrimi, kohët e fundit, në njërën prej rreth 30 zonave të rrezikut, personat që kthehen në vend duhet të kenë një test negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, ose ata do të duhet t’i nënshtrohen një karantine 10-ditore”, shtoi kancelari.

Kurz gjithashtu nuk përjashtoi kryerjen e testeve të koronavirusit drejtpërdrejt në kufi, gjë që do të ishte përgjegjësia e autoriteteve shëndetësore.

Zonat e rrezikut përfshijnë Spanjën kontinentale dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe Bullgarinë, Rumaninë, Rusinë, Suedinë, SHBA-në.

Nga e hëna, edhe personat që kthehen nga Kroacia gjithashtu do të duhet të tregojnë një test negativ për COVID-19./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.