Xhaçka drejt Kakavijës, dërgohen edhe ekipe mjekësore në ndihmë të qytetarëve

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, janë nisur drejt pikës kufitare të Kakavijës, pas fluksit të shtuar të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar.

Në pikën doganore të Kakavijës, ministrja Xhaçka pritet të ketë takime me drejtues të Pushtetit vendor dhe policisë.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes njofton se, efektivë të Batalionit të Mbështetjes Rajonale të FA në Gjirokastër janë në afërsi të Kakavijës ku pritet të mbërrijë dhe automjeti i posaçëm me 10 mijë litra ujë si dhe ekipe mjekësore  për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar.

Në Kakavijë dhe Kapshticë u krijuan radhë të gjata pritje të qytetarëve dhe automjeteve për të kaluar në Greqi pas vendimit të autoriteteve greke për të kërkuar vetizolim 7-ditor nga data 17 gusht dhe certifikatë të testit negativ për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi. Shkak i radhëve në kufi u bë edhe orari i kufizuar nga pala greke në pikën kufitare të Kakavijës dhe atë të Kapshticës. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.