Vonesa në Kakavijë për shkak të kryerjes së testimit COVID-19/ MEPJ: Pala greke ka njoftuar lehtësimin e masave deri në heqjen e tamponit

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme reagoi sot për situatën e krijuar në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, në Kakavijë, ku për shkak të kryerjes së procedurave të testimit COVID-19 nga ana e autoriteteve shëndetësore greke është krijuar fluks i qytetarëve dhe i radhës së automjeteve.

Shkak për radhët e krijuara ky qytetarët presin të kalojnë pikën kufitare është bërë edhe mbyllja e kësaj pike kufitare të palës greke gjatë natës, nga ora 22:00-06:00.

Lidhur me fluksin e krijuar në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, MEPJ sqaron se gjatë ditëve të fundit ka pasur fluks të shtuar qytetarësh në dalje të Republikës së Shqipërisë, por edhe në hyrje dhe shkak i vonesave janë bëre kufizimet në orarin e funksionimit të Pikës së Kalimit Kufitar nga pala greke.

“Siç edhe është njoftuar, gjatë ditëve të fundit kalimi lejohet vetëm në orarin 06:00 deri 22:00 ora shqiptare. Ndërkaq, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ka fluks të shtuar per shkak se qytetarët janë detyruar të kryejnë procedurën e testimit COVID nga ana e autoriteteve shëndetësore greke të cilët po kryejnë testimeve masive”, thekson MEPJ.

“Në pikat e tjera kufitare pala greke nuk kryen procedura hyrje/dalje, për mjete dhe shtetas, por procedon vetëm raste urgjente”, shton MEPJ.

“Me qëllim përballimin e situatës dhe lehtësimin e lëvizjes që qytetarëve shqiptarë janë kontaktuar në vijimësi autoritetet greke të cilët kanë shtuar personelin shëndetësor në Pikën Kufitare të Kakavijës. Së fundi pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit”, nënvizon MEPJ.

“Risjellim në vëmendje se shtetasit shqiptarë mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht. Ky testim njihet edhe nga autoritetet greke dhe do ta lehtësonte më shumë situatën”, thekson MEPJ.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.