Siguria ushqimore/ AKU kryen 361 inspektime në terren, kërkohet respektimi i protokolleve kundër COVID-19

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer gjatë ditës së sotme 361 inspektime dhe monitorime si pjesë e Taskforcës antiCovid.

Në çdo monitorim nga Taskforca vijon të kërkohet zbatimi i protokolleve të sigurisë, dhe masat e nevojshme kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

AKU njofton se “me kërkesë të vetë subjekteve është kryer proceduara e asgjësimit të 13 tonë produkteve ushqimore të pasigurta për konsum”.

Gjithashtu, AKU informon se “u realizua procedura e asgjësimit të sasisë prej 1440 kokrra veze të bllokuara pak ditë më parë si të papërshtatshme për konsum”.

“Janë marrë 19 mostra, kryesisht në monitorim të qumështit dhe në fruta-perime”, thuhet në njoftim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shprehet se vazhdon pandërprerë punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.