SHBA – Vëllai i presidentit Trump shtrohet në spital

NJU JORK, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Robert Trump, vëllai më i vogël i presidentit Donald Trump, është shtruar në spital në Nju Jork, konfirmoi sot Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti pritet të udhëtojë në Nju Jork për ta vizituar atë”, konfirmuan burimet  “Daily News” edhe për CNN.

Detajet e gjendjes së Robert Trump nuk janë zbuluar, por zyrtarët i thanë ABC News se vëllai i presidentit është “shumë i sëmurë”.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany i tha rrjetit se Trump dhe vëllai i tij “kanë një marrëdhënie shumë të mirë” dhe se presidenti do të jepte më shumë detaje më vonë.

Në qershor, Robert Trump u shtrua në spital, në njësinë e kujdesit intensiv për më shumë se një javë.

Fred Trump Jr, vëllai më i madh i presidentit, vdiq në vitin 1981 në moshën 43 vjeç nga ndërlikimet me alkoolin. Vdekja e parakohshme e vëllait të tij ka pasur një ndikim të thellë në jetën e presidentit dhe ai ka thënë se nuk pi kurrë për shkak të kësaj historie./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.