Posta Shqiptare/ 1 mijë klientë në ditë marrin shërbime pranë zyrës qendrore në Tiranë

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjek në vazhdimësi, në rolin e aksionarit, ecurinë pozitive të aktivitetit të Postës Shqiptare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se “mesatarisht 1000 klientë në ditë vizitojnë zyrën postare qendër në Tiranë, të cilët kryejnë shërbime të ndryshme postare dhe financiare”.

Nertila është një nga klientët e kësaj zyre, e cila ka zgjedhur që pagesat e faturave mujore t’i kryejë pranë sporteleve të Postës Shqiptare.

“Prej 15 vitesh kam zgjedhur që pagesat e faturave të energjisë elektrike, të ujit dhe të telefonit t’i kryej pranë zyrës postare nr. 5”, tha Nertila.

Sipas saj, “kryerja e pagesave pranë sporteleve të Postës Shqiptare është një mundësi shumë e mirë, pasi në një sportel të vetëm mund të kryej disa pagesa, gjë që më ka kursyer kohë”.

“Shërbimi i ofruar pranë sporteleve të Postës është cilësor dhe mjaft korrekt, pasi çdo shumë e paguar është e rakorduar në kohë reale me institucionin përkatës”, u shpreh Nertila. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.