17 mijë dhurime gjaku vullnetare/ Manastirliu: Të nxisim zinxhirin e solidaritetit

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri sot të ditur se nga fillimi i këtij viti dhe deri tani janë kryer 17 mijë dhurime gjaku.

Ministrja Manastirliu apeloi për dhurime vullnetare në ndihmë të talasemikëve për të mos e ndërprerë zinxhirin e solidaritetit në këto ditë të vështira.

“Kjo është një kohë e pazakontë, e shenjuar veç vështirësive, edhe nga solidariteti për ata që kanë më shumë nevojë! Një akt i tillë human është dhurimi i gjakut”, tha ministrja.

Megjithë situatën e epidemisë në vend, Manastirliu tha se “nga fillimi i vitit deri sot janë kryer rreth 17 mijë dhurime gjaku për personat me talasemi dhe qytetarët në nevojë”.

“Por ka ende nevojë për dhurime vullnetare, për të mos e ndërprerë zinxhirin e solidaritetit në këto ditë të vështira! Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty! Dhuro gjak, shpëto jetë”, ishte apeli i ministres Manastirliu.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.