Veliaj: Virusi është diçka e vërtetë, nuk kursen as ata në gjendje të mirë shëndetësore dhe as moshat e reja

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas një mungese për shkak të sëmundjes së koronavirusit prej të cilit ishte prekur, deklaroi mbrëmjen e së enjtes në një nga mediet e vendit se virusi nuk njeh moshë dhe nuk bën diferencime.

“Kjo është diçka e vërtetë. Nuk kursen as ata që janë në gjendje të mirë shëndetësore, as ata që janë në mosha të reja, as fëmijët që vërtet e kanë më të lehtë por bëhen bartës siç ishte në rastin tonë. Dua të shpreh të gjithë faleminderit me gjithë zemër për të gjithë ata mjekë që përveçse u kujdesën për ata që janë në trajtim më intensiv, menaxhojnë me qindra raste në distancë. Janë kompetentë, janë të aftë, janë po aq të aftë sa mjekët kudo në botë ndaj më shumë besim tek mjekët që kërkojnë parandalimin dhe më shumë besim tek ata që do ta kalojnë këtë taksirat teksa duhet t’iu binden mjekëve për të gjithë pjesën e terapisë”, tha Veliaj.

“Gjëja më patriotike që mund të bëjmë sot nuk është të shajmë dhe të mallkojmë njëri-tjetrin por është të mbajmë një maskë, të lajmë duart, të ruajmë distancën. Unë e kuptoj se disa zanate, si zanatet tona, një kryetar bashkie do të duhet të jetë në terren për inspektim apo një gazetar do të duhet të jetë në terren për të mbuluar një ngjarje por disa punë të tjera si një festë, ditëlindje, një aheng, party në bregdet janë gjëra që mund të evitohen dhe mund të presin. Pra, nuk janë punë të detyrueshme por nëse realisht duan veten dhe të tjerët duhet të respektojnë këshillat që si qeveria, si mjekët po predikojnë që parandalimi është shumë më mirë sesa shtrimi në spital apo qoftë edhe trajtimi. Kështu që, pas dy javë e gjysmë jam rikthyer në punë. Sigurisht vetë i sensibilizuar dhe pjesë e atij kori që duhet të sensibilizojë edhe të tjerë. Askush nuk është imun edhe nuk ka rëndësi fare çfarë pune bën, nëse je gazetar apo kryetar bashkie, kjo sëmundje nuk diskriminon”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai bëri të ditura disa nga punimet të cilat po kryhen aktualisht në Tiranë.

“Muaji gusht për bashkinë e Tiranës është krejt e kundërta nga ata që pushojnë pikërisht sepse qyteti është i zbrazur pasi një pjesë e madhe e popullatës është në bregdet. Kështu që shumë punë që janë të akseve magjistrale si për shembull: kanali i madh që mbledh të gjitha ujerat që mblidhen në nyjen e sheshit “Skënderbej” për t’i çuar tek rruga “Dritan Hoxha” që është edhe aksi kryesor i kanalizimeve, siç bëmë vjet tek rruga e Elbasanit dhe e mbyllëm për 45 ditë ashtu edhe këtë vit ne do ta mbyllim për 45 ditë. Në fillim të shtatorit ne do të kemi të mbaruar të gjithë aksin e rrugës së Durrësit. Sot ne filluam punimet për Kopshtin e ri Zoologjik. Do të kemi aty një teatër kukullash, një vend parkimi për 100 automjete, do të ketë hapësirë  shumë herë më humane për kafshët dhe hapësirë shumë më miqësore për fëmijët. Muajin tjetër do të fillojmë punimet tek Piramida”, tha Veliaj. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.