Qeveria mbështetje sipërmarrjeve turistike/ Në Rehovë, ku Koço dhe bashkëshortja e tij kanë hapur shtëpinë për të pritur turistë nga e gjithë bota

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Rama ka ndarë pasditen e së enjtes shembullin në fshatin Rehovë të Kolonjës, ku shpirti mikpritës dhe zemra e madhe e rehovarëve si Koço dhe bashkëshortja e tij, kanë hapur shtëpinë për të pritur turistë nga e gjithë bota, i japin një tjetër energji kësaj zone të bekuar.

“Këto familje të zakonshme që ndërtojnë sipërmarrje të vogla familjare, nga të cilat nxjerrin të ardhura të mjaftueshme, janë një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit në zonat rurale, çka përkon me qasjen tonë për t’i dhënë mbështetjen e pakursyer iniciativave të tilla edhe përmes AZHBR, për të nxitur gjithnjë e më shumë sipërmarrjet agroturistike në vend”, shprehet Rama.

Erion Hymeri nga bashkia e Kolonjës shprehet se “në Rehovë janë 8 shtëpi pritëse. Siç e shikoni edhe vetë, karakteristike është arkitektura. I gjithë fshati i Rehovës është i ndërtuar me gur dhe me kalldrëm. Karakteristikë tjetër është së në çdo shtëpi është shkruar viti i ndërtimit në mënyrë perfekte nga punimet artistike të artizanëve. Ky është fshat 100% i krishterë”.

Nga ana e tij, Koçi i zoti i shtëpisë thotë se prej 7 vitesh ai pret në shtëpinë e tij turistë të ndryshëm, ku shumica prej tyre janë francezë.

“Grupet franceze që vijnë në fshat nuk kanë asnjë kërkesë përveçse të shijojnë ajrin e pastër, bukuritë dhe ushqimet që keni përgatitur ne. E kemi 25 euro natën bashkë me ushqim”. Bashkëshortja dhe Koço shprehen të kënaqur me numrin e turistëve që i vizitojnë. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.