Klubi i futbollit të Bulqizës ngjitet në kategorinë e 2-të/ Kryebashkiaku Alla: Krenar për punën dhe bashkëpunimin me ekipin

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ -Klubi i Futbollit të Bulqizës është ngjitur zyrtarisht në kategorinë e II-të.

Kryebashkiaku i Bulqizës, lefter Alla e ka cilësuar si “një ditë të rëndësishme për futbollin e Bulqizës”.

Ai është shprehur krenar për punën dhe bashkëpunimin që bashkia ka pasur me djemtë e trajnerit Hakik Çekiçi.

“Një qytet i shëndetshëm dhe aktiv, njeh vlerën e jetesës aktive, aktivitetit fizik dhe sportit”, ka theksuar Alla.

Ai ka nënvizuar se, “pushteti vendor duhet të ketë një rol shumë aktiv, madje parësor në ngritjen, mbështetjen dhe konsolidimin e sporteve të ndryshme brenda territoreve që drejtojnë”.

“Aktivitetet sportive, e sidomos kur rezultatet janë pozitive, padyshim që shërbejnë edhe në promovimin e qytetit”, ka shtuar ai.

“Pa përjashtuar askënd që ka kontribuar në këtë rrugëtim, respekt edhe ndaj trajnerëve dhe mësuesve të pasionuar si Sabri Abdiu, Tomor Shahini, Ilir Disha, Rami Hoxha, Artan Greva, Hakik Çekiçi, etj., të cilët pas viteve ‘90 kanë punuar me shpirt për ta ngritur futbollin në Bulqizë”, ka përfunduar kryebashkiaku Alla.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.