Investimet në shëndetësi gjatë 7 viteve/ Nga ulja 30 % e çmimi të barnave, tek kushtet bashkëkohore të qendrave shëndetësore

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ka reaguar pas akuzave të ngritura nga nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i cili është shprehur se shëndetësia është një dështim dhe administrimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19 është katastrofik.

Hyseni duke reaguar ndaj këtyre akuzave ka sjellë në vëmendje gjendjen e shëndetësisë para 7 viteve si dhe investimet e kryera përgjatë kësaj periudhe kohore.

“Për këdo që nuk e kthen kokën pas të kujtojë se ku ishim 7 vite më parë. “Shëndetësia një dështim i tmerrshëm të cilit Pandemia dhe administrimi katastrofik i vuri vulën.”?! Kështu ka deklaruar sot Petrit Vasili. Sigurisht që gjithësecili është i lirë të thotë çfarë të dojë. Ka 30 vite që kjo është një e drejtë e fituar. Në fund të fundit, secili nga ne, mbi supe vetëm kokën e tij mban. Por meqë për 3 vite e gjysmë kam punuar drejtpërdrejt në shëndetësi gjatë qeverisjes 7 vjeçare të Edi Ramës disa të vërteta ndjej detyrim t’i ndaj me publikun”, shprehet Hyseni.

Lidhur me situatën e pandemisë, Hyseni tha se, “menaxhimi i pandemisë bazohet në kuadrin ligjor që rregullohet me ligjin nr 15/2016. Ligji i mëparshëm datonte 1994. Na fal o zoti Vasili pse e përpiluam dhe miratuam ligjin “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.

“Tamponët, kitet, reagentët, pajisjet laboratorike (kaq të diskutuar këto kohë) vendosen në treg dhe në shërbim të pacientëve sipas kuadrit rregullator bazuar në ligjin 89/2014. Nuk ka patur më parë ligj të tillë në Shqipëri. Na fal o zoti Vasili pse e përpiluam dhe miratuam ligjin “Për pajisjet mjekësore”. Dezinfektimi kaq i nevojshëm në këto kohe pandemia kryhet sipas kuadrit rregullator bazuar në ligjin 95/2015. Nuk ka patur më parë ligj të tillë në Shqipëri. Na fal o zoti Vasili pse e përpiluam dhe miratuam ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, vijon Hyseni.

“127 apo urgjenca mjekësore kombëtare aq e vlefshme këto kohë funksionin në bazë të ligjit 147/2014. Nuk ka patur më parë ligj të tillë në Shqipëri. Na fal o zoti Vasili pse e përpiluam dhe miratuam ligjin “Për shërbimin e Urgjencës Mjekësore në RSH”, shprehet Hyseni në reagimin e tij.

“Këto kohë pandemia ka patur jo ankesa, herë me vend e herë pa vend. Por kaluan 5 muaj e nuk pati asnjë ankesë se nuk mundi dikush të bëjë një skaner apo se skaneri nuk punon. Nuk ndodh më që prej 2014. Kohë pritja për një skaner FALAS është 2 ditë dhe për një rezonancë manjetike FALAS është 17 ditë. Na fal o zoti Vasili për këtë dështim. Gjatë pandemisë recetat me rimbursim u lëshuan elektronikisht nga mjekët e familjes, të firmosura elektronikisht po nga mjekët e të ekzekutuara elektronikisht në rrejtin e farmacive. Na fal o zoti Vasili për këtë dështim të tmerrshëm që nuk u sorollat asnjë pensionist”, vijon Hyseni reagimin e tij.

Gjithashtu, Hyseni thekson se, “prej 6 vjetësh ka urgjencë mjekësore 24/7 në shërbim të sezonit turistik. Na fal o zoti Vasili edhe për këtë dështim. Prej 5 vjetësh ka urgjencë kardiake 24/7 në QSUT. Na fal o zoti Vasili edhe për këtë dështim.Prej 4 vjetësh ka urgjencë celebrale-vaskulare 24/7 në QSUT. Na fal o zoti Vasili edhe për këtë dështim. Na fal o zoti Vasili pse nënat e reja në Gjirokastër, Sarandë e Korçë që sjellin në jetë fëmijët e tyre në kushte dinjitoze e në sterilitet maksimal”.

“Na fal o zoti Vasili pse duke filluar nga viti i ardhshëm edhe nënat e reja në Berat, Lezhë, e Kukës do të sjellin në jetë fëmijët e tyre në kushte dinjitoze e në sterilitet maksimal.Na fal o zoti Vasili pse e mbrojmë shëndetin e shqiptarëve nga produktet e duhanit. Na fal o zoti Vasili pse mbrojmë shëndetin dhe bezdisjen e shqiptarëve nga mushkonjat. Na fal o zoti Vasili pse nxorëm nga pluhuri që prej 2006 financimin 5 milionë euro për modernizimin e spitalit të Traumës. Na fal o zoti Vasili për spitalin e ri neurologjik në QSUT. Na fal o zoti Vasili për kirurgjinë e re të përgjithshme në QSUT. Na fal o zoti Vasili për 100 transplante veshke FALAS për pacientët shqiptarë. Na fal o zoti Vasili për mijëra katarakte FALAS për pensionistët. Na fal edhe për spitali e ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT që po ndërtohet. Na fal edhe për spitali e ri të pediatrisë në QSUT që po ndërtohet. Na fal edhe për spitalin e ri në Kukës”, shprehet Hyseni.

“Na fal edhe për pediatrinë e re në Durrës. Na fal edhe për 300 qendra shëndetësore të rikonstruktuara. Na fal o zoti Vasili që e hoqëm taksën e sëmundjes 10 % që ti dhe Sali Berisha u vendosët shqiptarëve”, tha më tej Hyseni teksa shtoi se “na fal o zoti Vasili që nuk kemi asnjë borxh ndaj furnitorëve të ndryshëm, ndërsa në 2013 ti dhe Sali Berisha vetëm në shëndetësi latë 40 mln dollarë borxhe. Na fal o zoti Vasili që ulëm 30 % çmimet e barnave të shqiptarëve duke kursyer çdo vit 70 milionë dollarë. Ah jo. Naiv unë i ziu.
Jo, Jo. E di që këtë nuk na e fal ti jo”.

z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.