FOTO/ Rafting në lumin e Bistricës në Sarandë, adrenalina e kësaj vere për turistët e aventurës

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Sportet e ujit gjatë viteve të fundit në vendin tonë, janë kthyer në guida turistike mjaft të pëlqyera nga turistët e aventurës.

Rafting është ndër sportet ujore të cilat po praktikohen në kanionet dhe lumenjtë e shumtë që ofron Shqipëria.

Gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti, turistë të shumtë kanë zgjedhur të përjetojnë adrenalinën duke bërë rafting në lumin e Bistricës në Sarandë.

Rafting në lumin e Bistricës është një produkt i ri turistik i cili po preferohet shumë nga të rinjtë dhe turistët e aventurës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka ndarë një sërë fotosh nga të rinjtë që kanë zgjedhur të përjetojnë një eksperiencë ndryshe gjatë këtij sezoni turistik në lumin e Bistricës në Sarandë duke bërë rafting.

“Një produkt i ri turistik, që në vitin e dytë i shtohet ofertës turistike të Sarandës. Rafting në lumin Bistricë. Një eksperiencë që gjithmonë e më shumë po kërkohet nga pushuesit dhe përdoruesit e sporteve të ujit”, shprehet Klosi.

Përveç lumit të Bistricës në Sarandë turistët e huaj dhe pushuesit vendas kanë mundësi të shijojnë plazhet mahnitëse dhe ujin kristal. Plazhi i Pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i Pasqyrave, i Ksamilit, etj., ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.