Agjencia Telegrafike Shqiptare

DOHA – Katari rrit bashkëpunimin me SHBA kundër terrorizmit

DOHA, 13 gusht /ATSH/ – Koordinatori i Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër terrorizmit, Nathan A. Sales ndodhet për një vizitë zyrtare në Katar, njoftoi zyra e zëdhënësit të DASH, sipas ambasadës së Katarit në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp, qëllimi i vizitës është mirënjohja ndaj Katarit për angazhimin në luftën kundër terrorizmit global dhe përkushtimin e tij për një partneritet të fortë me SHBA në fushën e sigurisë.

Pritet që Sales të takohet me zyrtarë të lartë të Katarit për të diskutuar rolin e këtij të fundit si një partner i fortë në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe zbatimin e legjislacionit të ri kundër pastrimit të parave.

Katari është një nga aleatët më të ngushtë të SHBA në rajon.

Baza ajrore ”Al Udeid” është shtëpia e Qendrës së Operacionit Ajror të Kombinuar dhe është përgjegjëse për të gjitha operacionet ajrore të Koalicionit në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Më shumë se 8 mijë ushtarakë amerikanë janë vendosur në këtë bazë ajrore./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version