Kampionati i Atletikës/ Luiza Gega rekord të ri në 10 mijë metra, rekord edhe shkodrani Heldi Valikaj

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Në datat 10 dhe 11 gusht u zhvillua Kampionati Kombëtar i 82-të për të rritur i atletikës në ”Elbasan Arena”.

Në këtë kampionat ka shkëlqyer me paraqitjen e saj atletja Luiza Gega. Gega ka vendosur një rekord të ri kombëtar në garën e 10 mijë metrave, duke dhënë kohën 32’31”. Gega e ka përmirësuar me 60 sekonda (1 minutë) rekordin e mëparshëm që mbahej po nga vetë ajo.

Gega ka konfirmuar edhe një herë formën e saj të shkëlqyer, duke dominuar në garat e mesme dhe të gjata.

Gjithashtu, në këtë kampionat shkëlqeu edhe atleti shkodran, Heldi Valikaj, i cili theu rekordin e 19-vjeçarëve në trehapësh, duke u shpallur së bashku me Luiza Gegën, dy sportistët më të mirë në atletikë.

Ndërkohë, ekip kampion për meshkuj u shpall “Vllaznia”, e cila fitoi trofeun e dytë kombëtar brenda pak ditëve. Pas Kupës së Republikës, djemtë kuqeblu u shpallën Kampionë Kombëtar. Ndërsa për femra kampion u shpall ekipi i “Tiranës”.

Pjesëmarrës në këtë kampionat ishin 130 atletë, 78 meshkuj dhe 52 femra.

/gj.m//m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.