Regjistrimet në kopshte, 3 ditë afat nga mbyllja e deklarimit

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2019-2020 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 14 shtator 2020, do të regjistrohen automatikisht në kopsht.

Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve ka kërkuar bashkëpunimin e prindërve teksa ka bërë me dije se “fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2019-2020 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 14 shtator 2020, do të regjistrohen automatikisht në kopsht”.

Për këtë kërkohet bashkëpunimi i prindërve, të cilët duhet të deklarojnë pranë çerdhes që fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshirojnë të regjistrojnë fëmijën. Deklarimi duhet të kryhet brenda datës 14 gusht. Pra, kanë mbetur vetëm 3 ditë nga mbyllja e këtij procesi.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, kopshti i përzgjedhur nga prindërit, duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës. z.tosku//m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.