Pjesë e trafikut të kokainës/ SPAK kërkesë konfiskimi për pasuritë e Valentin Selajt

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kërkoi konfiskimin e 17 pasurive të Valentin Selaj, i cili dyshohet për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Sipas njoftimit të SPAK, autoritetet gjyqësore holandeze, konkretisht Prokuroria e Amsterdamit, Holandë, kaë përcjellë një kërkesë për ndihmë juridike, në të cilën kanë informuar se në Holandë janë duke u hetuar shtetasit shqiptarë, Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga legjislacioni holandez.

Një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se këta shtetas i kanë transferuar në Shqipëri, duke kryer investime të ndryshme.

Sipas letërporosisë, nga hetimet e kryera në Holandë ka rezultuar se shtetasit Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Europës si Angli, Itali etj. Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë.

Objekti i kësaj letërporosie ka qenë kryerja e verifikimeve pasurore për këta shtetas dhe familjarët e tyre në Shqipëri si dhe kryerja e verifikimeve dhe mbledhja e të dhënave që mund të çojë drejt zbulimit të pasurive të këtyre shtetasve në shtete të tjera. Mbi këtë bazë është regjistruar procedimin pasuror në ngarkim të shtetasit Valentin Selaj.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Valentin Selaj dhe personat e lidhur me të Valentin Vasil Selaj, Vasil Gjergj Selaj, (babai i Valentinit), Leze Kolë Selaj, (nëna e Valentinit) dhe Aleks Vasil Selaj alias Ardian Vasil Selaj, (vëllai Valentinit), kanë në Shqipëri disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme që janë banesa, troje, toka bujqësore, llogari bankare dhe mjete motorike.

Mbështetur në faktet e lartpërmendura, aktivitetin e dyshuar kriminal te shtetasit Valentin Vasil Selaj në Holandë, mungesa e të ardhurave të ligjshme në Shqipëri dhe jashtë saj për shtetasit Vasil Selaj, Leze Selaj dhe Aleks Selaj, si dhe pasuritë e konsiderueshme të paluajtshme dhe luajtshme dhe investime që kanë në pronësi këta shtetas, lindin dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë si produkt i aktivitetit kriminal.

Në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurisë të shtetasve Valentin Vasil Selaj, Vasil Selaj, Leze Selaj dhe Aleks Selaj.

Pasuritë e sekuestruara janë si më poshtë:

  1. Pasuria në bashkëpronësi të shtetasit Valentin Vasil Selaj, me adresë Rrilë Lezhë, me sipërfaqe 5 600 m2, lloji i pasurisë arë + truall. Këtë pasuri shtetasi Valentin Selaj e ka në bashkëpronesi me shtetasin Vasil Selaj dhe Leze Selaj (prinderit). Pasuria është regjistruar më datë 31.08.2011.
  2. Pasuria në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, me adresë Rrilë Lezhë, me sipërfaqe 500 m2, lloji i pasurisë truall. Mbi këtë truall është ngritur një godinë banimi 2-katëshe, me sipërfaqe 187 m2. Pasuria është regjistruar më datë 10.02.2016.
  3. Pasuria në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, me adresë Rrile Lezhë, me sipërfaqe 3633 m2, lloji i pasurisë arë. Pasuria është regjistruar më datë 10.02.2016.
  4. Pasuria në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, me adresë Rrile Lezhë, me sipërfaqe 500 m2, lloji i pasurisë truall, mbi të cilën është ndërtuar një godinë banimi dy katëshe me sipërfaqe 178.7 m2. Pasuria është regjistruar më datë 10.02.2016.
  5. Pasuria në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, me adresë lagjia “Beslidhja“ Lezhë, me sipërfaqe 53,125 m2, lloji i pasurisë “Njësi Shërbimi”, blerë me çmimin 6 019 128 lekë në datë 27.02.2013. Pasuria është regjistruar më datë 10.02.2016.
  6. Pasuria në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, me adresë Rrile Lezhë, me sipërfaqe 15 500 m2, lloji i pasurisë arë. Pasuria është regjistruar me datë 10.04.2009.
  7. Pasuria me adresë Rrile Lezhë, me sipërfaqe 5 600 m2, lloji i pasurisë “arë + truall”. Këtë pasuri shtetasi Vasil Selaj e ka në bashkëpronësi me shtetasin Valentin Selaj dhe Leze Selaj. Pasuria është regjistruar me datë 31.08.2011.
  8. Pasuria në pronësi të shtetasit Aleks Vasil Selaj, me adresë Shëngjin Lezhë, me sipërfaqe 13.25 m2, lloji i pasurisë garazh. Këtë pasuri shtetasi Aleks Selaj e ka blerë në datë 08.09.2014, çmimi i blerjes është 2 000 Euro.
  9. Pasuria në pronësi të shtetasit Aleks Vasil Selaj, me adresë Shëngjin Lezhë, me sipërfaqe 13.25 m2, lloji i pasurisë garazh. Këtë pasuri shtetasi Aleks Selaj e ka blerë në datë 08.09.2014, çmimi i blerjes është 2 000 Euro.
  10. Pasuria në pronësi të shtetasit Aleks Vasil Selaj, me adresë Shëngjin Lezhë, me sipërfaqe 13.25 m2, lloji i pasurisë garazh. Këtë pasuri shtetasi Aleks Selaj e ka blerë në datë 08.09.2014, çmimi i blerjes është 2 000 Euro.
  11. Pasuria në pronësi të shtetasit Aleks Vasil Selaj, me adresë Barbudhoj Lezhë, me sipërfaqe 2200 m2, lloji i pasurisë kullotë. Këtë pasuri shtetasi Aleks Selaj e ka blerë në datë 27.09.2014, çmimi i blerjes është 1 000 000 lekë.
  12. Pasuria me adresë Rrile Lezhë, me sipërfaqe 200 m2, lloji i pasurisë truall. Këtë pasuri shtetasja Leze Selaj e ka në bashkëpronësi me shtetasit P. S., N. S., P. S. dhe V. S. Data e rregjistrimit te pasurisë 31.08.2011.
  13. Pasuria në pronësi të shtetasit Valentin Vasil Selaj, me adresë Rruga “Bajram Curri” Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 118.1 m2, data e regjistrimit të pasurisë 02.05.2017. Këtë pasuri shtetasi Valentin Selaj e ka blerë në datë 17.03.2017, në shumën 220 000 Euro.
  14. Automjeti me targë AA 890 TD në pronësi të shtetasit Vasil Gjergj Selaj, i llojit autoveturëe, marka Daimler Chrysler, tipi 211016, modeli E 270 CDI, viti i prodhimit 2003. Këtë automjet shtetasi Vasil Selaj e ka blerë në Itali, në shumën 900 Euro.
  15. Llogari bankare rrjedhëse në shumën 5 022 Euro.
  16. Llogari bankare rrjedhëse në shumën 1 091 533 Lekë.
  17. Shoqëria “Aleks Selaj”, me NIPT L67611501E, në pronësi të shtetasit Aleks Vasil Selaj, me aktivitet “Hotele dhe struktura të ngjashme”, me status aktiv prej 11/02/2016. /m.m//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.