Rindërtimi/ Nis ndërtimi i banesave për tri familje në fshatin Çerkezë dhe në Pezë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në fshatin Çerkezë në Zall-Herr të Tiranës ka nisur sot puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, te familja e Mustafa Kodrës dhe Pjetër Zmalajit.

Lajmi është njoftuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në grupin e parë të rindërtimit janë 200 banesa individuale të cilat do të rindërtohen me ndihmën e qeverisë.

Dy ditë më parë, nisi puna për rindërtimin e shtëpisë së familjes së Durim Merepezës, në Pezë e cila u dëmtua rëndë prej tërmetit.

Bashkia e Tiranës ka përgatitur dosjet për rindërtimin e shtëpive në kohë rekord teksa në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak u miratuan dhe emrat e 200 familjeve të para që përfitojnë nga rindërtimi i banesave private nga rreth 800 të tilla.

Banesat e reja që do të rindërtohen do të kenë cilësi dhe standard sipas të gjithë parametrave ndërkombëtare europiane.

z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.