“Partizani” prezanton trajnerin Ilir Daja, Olsi Rama: Baza për një klub me të ardhme shumë të mirë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/- “Partizani” ka prezantuar trajnerin e ri të saj, Ilir Daja. Olsi Rama, Drejtori Sportiv i Klubit, në nisje të konferencës për mediat theksoi se objektivat e klubit lidhen me të ardhmen dhe jo domosdoshmërisht me trofetë.

“Nuk i kemi vënë vetes asnjë objektiv në raport me titujt, por duam vetëm të hedhim bazat e shëndosha për një klub me të ardhme shumë të mirë. Duam që të ndërtojmë një identitet loje dhe një skuadër konkurruese, që luan bukur, por që punon edhe për të ardhmen. Objektivi kryesor është loja, pasi e dimë që me të vijnë edhe rezultatet. Kemi nënshkruar një kontratë afatgjatë, pasi besojmë shumë te ai dhe i kemi vënë në dispozicion të gjithë strukturën e ekipit të parë, por edhe të “Partizanit B”,- shton Rama.

Trajneri Ilir Daja në fjalën e tij u shpreh i emocionuar dhe shtoi se përgjegjësitë për drejtimin e një skuadre si “Partizani” janë të mëdha.

“Kam një karrierë 25-vjeçare. Është një dozë emocionale e madhe kur vjen te një klub i madh. Shoh që ka shumë gazetare. Kur ka kaq shumë pritshmëri nga gazetarët, imagjinoni tifozët. Partizani është vlerësim, por dhe përgjegjësi. Është klubi me më shumë trofe në futbollin shqiptar”,- tha Daja.

“Është një ekip që gjithmonë pritshmëria ka qenë e madhe. Presioni për të arritur nivelet maksimale ka qenë prezent. Do të mundohemi të gjithë bashkë, çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Këtë presion të klubeve të mëdha ta kanalizojmë në sukses. Jam i gëzuar që m’u besua mua ky project. Falenderoj presidentin dhe drejtorin. Po të shihni investimin modern e kuptoni që nuk është një projekt sot për sot, por dhe për të ardhmen. E para te “Skënderbeu” kalova shumë sukses. Ka patur sukses në kampionatin shqiptar. Nuk është problem i madh që lëviz sepse në çdo klub dua të marr maksimumin. Këtë do të bëj dhe te “Partizani”,- theksoi Daja.

“Te çdo klub kam fituar respektin e tifozëve, por dhe të kundërshtarëve. Ky jam unë. Në historinë e futbollit shqiptar kam fituar 3 kampionate me 3 ekipe të ndryshme. Jam i vetmi trajner që kam drejtuar të 3 ekipet të kryeqytetit.Trajneri është tifoz me ekipin që drejton Energjitë duhen të përqendrohen”,- sqaroi Daja.

“Mentaliteti i fituesit duhet të përçohet kudo. Të marrim dhe trofe të tjerë në futbollin shqiptar. Secili klub ka pjesën e vet individuale. Unë dua që Partizani që ka fituar 16 herë dua të vazhdoj edhe këtë sezon. Partizani ka pritshmëri maksimale. E dëgjova drejtorin me vëmendje. Do të dalim me objektiv konkret kur të fillojë kampionati. Ky vit ka qenë i paparashikueshëm. Duhet të shprehem mirë në lojë në maksimum. Po t’i marrim gjërat hap pas hapi është më mirë të realizojmë objektivat afatshkurtër para atij afatgjatë”,- përfundoi Daja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.