Nis sot puna për tunelin e rrugës Delvinë-Kardhiq/ Realizim i një tjetër premtimi dhjetravjeçar të të gjitha qeverive të mëparshme


TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Ka nisur sot puna për ndërtimin e tunelit të rrugës Delvinë-Kardhiq, që do të finalizojë lidhjen e një aksi strategjik të infrastrukturës kombëtare.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili tha se po punohet intensivisht për realizimin e një tjetër premtimi dhjetravjeçar të të gjitha qeverive të mëparshme.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë të nisjes sot të punës për tunelin e rrugës Delvinë-Kardhiq, që do të finalizojë lidhjen e një aksi strategjik të infrastrukturës sonë kombëtare, ku po punohet intensivisht për realizimin e një tjetër premtimi dhjetravjeçar të të gjitha qeverive të mëparshme, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Aksi i ri rrugor Kardhiq-Delvinë, i mundëson mjeteve me drejtim Sarandën anashkalimin e Gjirokastrës dhe Qafës së Muzinës, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Projekti për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, është një nga projektet e paketës transformuese për zhvillimin e infrastrukturës me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit.

Kjo rrugë është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.