INSTAT: Inflacioni u rrit me 1.4% në muajin korrik

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Niveli i përgjithshëm i çmimeve në vendin tonë (inflacioni) u rrit me 1,4% në muajin korrik i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pajisjeve të shtëpisë.

INSTAT bën të ditur se, rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,15 %, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,31 %.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me 0,11 %. Çmimet e grupeve “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,04 %. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, kanë kontribuar me 0,03 %. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me 0,02 %. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me 0,01 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,8 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,2 % secili, njofton instituti i statistikave.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,3 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 4,8 %, “peshk” me 4,5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,7 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,1 %, etj.

Ndërsa çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” shënuan një ulje vjetore me 0,8 %,

Sipas INSTAT, krahasuar me muajin qershor 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,3 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,9 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 0,3 %, pasuar nga grupet “Transport” dhe “Pije alkolike dhe duhan” me 0,1 % secili. e.xh/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.