Fitimi i sistemit bankar u rrit me 6 miliardë lekë në 3 mujorin e dytë

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Sistemi bankar në vend mbetet solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, duke garantuar mbështetje dhe kontributin e nevojshëm për ekonominë e vendit, biznesin dhe individët në përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

7.15 miliardë lekë shënon totali i fitimeve në sektorin bankar në 6-mujorin e parë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e dytë 2020, fitimi i sistemit bankar ishte rreth 5.8 miliardë lekë, ose gati 5% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Për 6-mujorin, të ardhurat nga interesi u rritën me 0.1% me bazë vjetore, ndërsa shpenzimet për interesa u tkurrën me 4.8%.

Kthimi nga kapitali, i llogaritur me bazë vjetore, në fund të qershorit arriti në 9.1%, në rritje për të katërtin muaj radhazi; megjithatë, edhe për këtë tregues, shifrat janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, kur kthimi llogaritej në 14.3%. e.xh./ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.