Durmishaj për ATSH-në: 1103 turistë vizituan Apoloninë në korrik

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 1103 turistë gjatë muajit korrik, prej të cilëve 204 janë vizitorë të huaj.

Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, ndërsa iu referua statistikave të numrit të turistëve për muajin korrik.

Ndërkohë edhe nisma e Ministrisë së Kulturës për të vizituar falas të dielën, sitet arkeologjike dhe monumentet e Kulturës, duket se ka pasur ndikimin e vetë në shtimin e numrit të vizitorëve.

Durmishaj tha për ATSH-në se “në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, gjatë muajit korrik regjistrohen 435 vizitorë me hyrje falas gjatë ditëve të diela”.

Në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë është vendosur sinjalistika për mbajtjen e distancave brenda në Manastir dhe në Muze. Po ashtu, është përgatitur një rregullore e brendshme për masat ndaj COVID-19.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.